Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të shtuara, në dalje kanë kaluar për kontroll të detajuar bagazhet e shtetasit J. M., 49 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të bagazheve të këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar 42 300 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar, sipas përcaktimeve ligjore.
Në vijim të veprimeve shtetasi J. M., 49 vjeç, banues në Tiranë, u procedua penalisht dhe ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Materialet i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
—
Gjithashtu, në vijim të kontrolleve të detajuara të dokumentacionit që paraqesin shtetasit që hyjnë dhe dalin në këtë pikë të kalimit kufitar, shërbimet e Policisë Kufitare kanë evidentuar dhe goditur 3 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit.
Në vijim të veprimeve janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. T., H. B., dhe E. N., për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.