Nën krisma lajmesh netësh magjepsëse
dhe temjanin e purpurt të mediave rozë,
vizatuar hunda e deformuar e mbretit që nuk qesh.
Flokët e fundit të borës së zezë
i thanë lulet e kuqe të shegës.
Tingujt e një balalajke të çmendur
në një izbë të dëshpëruar
nuk u dëgjuan më tej ditës së shtunë.
Lumit Dniepër notonin si karkalecë,
peshq të mbytur me fytyrë njeriu;
një zemër e gjakosur, ulur në bregun e tij,
skuqi ujin me harta në forma amebe.
Kalinka në një mejhane të Moskës,
këndohej nga një plak i Kievit
me zë të ngjirur e me kapele të shtrembër
me yllin cepëthyer, mbrapa saj.
Funerali i Carit të fundit
shoqërohej në ajrin me aromë votke,
nga një tufë krillash kasnece.
Një ushtar i dehur me këpucë të thyera
këndonte “Podmoskovnije vjeçera”.
K.F.
Chicago 01/23/2023