Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pritur sot në një takim zyrtar raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, zonjën Isabel Santos.
Biseduam mbi rrugën evropiane dhe sfidat tona reformuese e zhvilluese, shkruan Presidenti Begaj në rrjetet sociale.
Shpreha vendosmërinë se Shqipëria do të mbetet gjithmonë një partner shumë i besueshëm në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian dhe do t’i bashkohet gjithmonë vendimeve e qendrimeve të BE-së në këto drejtime, thekson Begaj.
Ja njoftimi i plotë:
Ishte kënaqësi për mua të prisja raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, zonjën Isabel Santos e të bisedonim mbi rrugën evropiane dhe sfidat tona reformuese e zhvilluese. E falenderova për kontributin eurodeputeten Santos si dhe atë të kolegëve të saj në përgatitjen e raportit të vitit të shkuar për Shqipërinë, duke nënvizuar realizmin e tij dhe frymën mbështetëse për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri.
Në mënyrë të veçantë shfrytëzova këtë takim për të vlerësuar mbështetjen e rëndësishme që Parlamenti Evropian i ka dhënë procesit të zgjerimit të BE me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Theksova se “mbështetja e Parlamentit Evropian është e nevojshme për arritjen e objektivave tona në kuadër të procesit të negociatave dhe zhvillimit të takimit të dytë ndërqeveritar BE-Shqipëri.”
Në sfondin e zhvillimeve të reja gjeopolitike, pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, shpreha vendosmërinē se Shqipëria do të mbetet gjithmonë një partner shumë i besueshëm në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian dhe do t’i bashkohet gjithmonë vendimeve e qendrimeve të BE-së në këto drejtime.