Më merr me vete, vijës së frymëmarrjes,
zemrës së mendimeve tua!
Je thelbi i asaj që gëlon për mua,
je horizonti pa fund, si më mundon shumë,
si fijet e barit të sa poemash në shpirtin tim
që ke qëndruar gjithmonë pranë brigjesh të mia.
Qëndro pranë stacionesh që udhëtoj unë,
jam nisur me shiun bashkë dhe ai do të pushojë
e sigurisht do çatis dhe unë,
do të mbyllet çadra e të hapet dritarja,
të ngrohë këtë lëkurë të sa kërkimesh
e dridhem, por të mendoj që je ajo toka
e parë në horizont, pas valëvitjeve nëpër det…
Më merr, mos më shqit nga duart!
Shpirtrat me vlerë i gjejnë brigjet e bujshëm
dhe ata ngjitin për zemra ëndrrat e rralla.
Më mbaj, se meritorë janë të gjithë që synojnë
të ngrehin në këmbë luftën e fatit,
më merr, mos më shqit nga duart!
Dua të mbes krijuese e rrugës së gjatë,
të thurr katrena të panënshtruarish me sa mallë!
Se nuk më frikëson stina, koha, mjegulla, bora,
nuk kam shqetësim nga mjegulla që kalon
sepse të mendoj ty,
si një hajdutin e ëndrrave të mia
paksa intriguese e ndoshta një çik misterioze,
ashtu si është udhëtari i zemrës,
ashtu si është dashuria.
Të shoh ty dhe kjo më bën të mos jem vetëm,
të ndjej dhe kjo më fuqizon idenë, ndjenjën
ndërsa shikoj një re që fluturon drejt time ëndërr,
një tjetër fluturon të kundërtës,
por unë di të mos harroj thesarin e kujtimeve
që i japin njeriut mençurinë pranverore
në natë e në dimër, afër e larg
dhe të dëgjoj, po! Ti je duke ardhur,
por fryn erë e marrë e nuk kam ftohtë.
Je një plazh i natës që shtyn orën shumë…
Më merr, mos më lësho nga duart e ëndrrave
e dua gjithmonë të më shpjerrësh larg,
shumë larg, atje ku është…fati, kodi i blertë
e ato stepat dashurore,
ato orët që punojnë me zemrat tona,
fushash pa fund të blerta të dashurisë
që askush s’i di, si qeniet që tepër ngrohtë
brenda vetes i mbajnë!



