Kështu reagon në rrjetet sociale mësuesi dhe shkrimtari Namir Lapardhaja duke theksuar se prej dy ditësh ndihen lëkundje të forta tërmeti në Berat, por shërbimet sizmiologjike nuk raportojnë për tërmete.
Duket se ai nënkupton që lëkundjet mund të vijnë nga shpërthimet në zonën e Shpiragut, ku vazhdojnë kërkimet për hidrokarbure.
Ja postimi i plotë:
Institucionet zyrtare e kanë për detyrë të japin një përgjigje në ka rënë sot tërmet në Berat
Ditën e sotme Berati është tronditur nga disa tërmete të vazhdueshme. E njëjta gjë ka ndodhur edhe dy net më parë gjatë natës, ku janë ndjerë, së paku, 3 të tillë. Nga ana tjetër, aplikacionet e telefonëve nuk kanë regjistruar asgjë përveçse një tronditjeje 2.8 ballë. As në qytete të tjera nuk është njoftuar për lëkundje sizmike. Nga Instituti Sizmiologjik nuk ka asnjë njoftim zyrtar. Po ashtu, edhe institucionet e tjera, qendrore dhe vendore nuk kanë dhënë asnjë shpjegim. Nuk shoh asnjë të zgjedhur vendor, qoftë të pushtetit apo të opozitës, të kërkojë informacion se çfarë ka ndodhur. Ndëkohë që qytetarët janë të traumatizuar, kurse një pjesë e shkollave sot në Berat kanë nxjerrë jashtë fëmijët, për shkak të frikës dhe të panikut. Institucionet zyrtare e kanë për detyrë të japin një përgjigje në ka rënë sot tërmet në Berat!
Përtej panikut dhe frikës, kanë filluar edhe teoritë aq të përhapura në realitetin tonë, se këto tronditje kanë ardhur si pasojë e shpërthimeve në malin e Shpiragut. Nuk përjashtohet si mundësi, por, meqenëse isha sot rastësisht në Sinjë dhe në Shpirag, mund të them se atje nuk u ndje asgjë, edhe pse në ato momente në Berat ishin ndjerë dy lëkunde të forta. Unë nuk jam specialist, por, nëse do kishin qenë shpërthime në Shpirag, atje do ishin ndjerë më shumë, pastaj në qytet, në Berat.
Gjithsesi, i bëj thirrje institucioneve zyrtare, të pushtetit qendror dhe atij vendor, të dalin dhe të japin një komunikatë zyrtare se çfarë ka ndodhur, si pasojë e kujt janë këto lëkundje dhe të sqarojnë dhe qetësojnë popullatën.

