Turravrapi i çmendur i çmimeve në Shqipëri, për pagat dhe pensionet qesharake të shumicës së shqiptarëve, duke ua kaluar edhe vendeve më me standart mirëqenie, si Danimarkë, Finlandë, Suedi, Norvegji, Angli, Francë, Zvicër, Austri, Gjermani, Holandë, Belgjikë… , në të cilat ka rritje të moderuara dhe me bonuse apo rimbursime të shpeshta qeveritare në mijëra euro, po çudisin botën mbarë, me gjithësi, me njerëz të gjallë, të vdekur…, me shpezë e bagëti! Ndërsa shqiptarët, që mburren për zgjuarsi se “nuk ua ha qeni shkopin”( me përjashtim të partisë dhe kryetarit të zemrës), se “të marrin gjak në vetull”, se “e kanë çarë rrugën e historisë me pallë në dorë”…, për “çudi” kanë 9 vjet që as çuditen, as tronditen, as revoltohen, as…as…! Nuk ndihen se janë njerëz të gjallë, nuk i braktisin kafenetë, rërën dhe shezlongët e plazheve, ekranet e televizorëve ngulur për serialët shumë mujorë turq, për ndeshjet e futbollit…, as kur këto rritje të çmimeve ua bëjnë krejt të pavlefshme ngritjet sa për të larë gojën të pagave dhe pensioneve nga Rama- qeveria! Nuk “u bën tërr” syri, shpirti e zemra, xhepi, kuleta… , kur rritjet e reja të çmimeve, sipas traditës 9 vjeçare apo edramjane, fillojnë -2-3 javë para gjasme rritjes qeveritare të pagave dhe pensioneve…Domethënë, pa i futur akoma në xhepat e shpuar ato 500- 1.000 lekë, që u bien nga lart, jo nga qielli, por nga Surreli! Kuptohet lehtë se shumicën e shqiptarëve, sidomos ata gjasme të majtë, Edi Rama i ka bërë si vetja…! Ai po zbaton në mënyrë krijuese e të zgjuar edhe vesin, traditën, mësimin… nga Enveri: ta gënjejmë dhe mashtrojmë sa më shumë këtë popull, sepse lumturohet dhe të don më shumë kur e ha sapunin për djathë, tullën për bukë, llaçin për mjaltë, shkopin prej gome si zinxhir të florinjtë në qafë, gazin lotsjellës si avull shërbeti bakllavaje…!
Ama, për të mos ua ngrënë hakën, janë po këta shqiptarë “trima kokëshkretë”, që tunden dhe shkunden si më të lumturit në Europë ose sikur kanë pirë nga një gotë të madhe raki apo dozë bari të fortë, kur Dua Lipa dhe Rita Ora u tregojnë brekët dhe u tundin gjinjtë, kofshët, belin.. ! Ndërsa Dua dhe Rita këndojnë e kërcejnë, gomone të reja mbush me dhjetra djem e vajza nga Kosova e Shqipëria, nisen mes oqeanit dhe dallgëve për nga Anglia…!!! Nëpër qytete, trotuare, lokale, lulishte…lypësat e shumtë, të tre moshave, të zgjasin duart drejt fytit, gojës, syve…! Në “bunkerët” e tij në Surrel apo në Kryeministri, Edi Rama rraskapit trurin e tij të brishtë për të sajuar “kryeveprat e rradhës”, justifikimet, premtimet, mashtrimet e reja se si ta mbajë sa më të përgjumur e trullosur, si pulë apo lepur të droguar, këtë popull e jo POPULL!
Xhevat Mustafa/ Çmimet kërcejnë drejt qiellit, shqiptarët kërcejnë kur Dua dhe Rita tundin belin…!!!???

Leave a comment Leave a comment


