Artikulli i revistës “Hylli i Dritës” nr. 6 viti 1935
Zef N. Pali
Kohët kalojnë, mendja shkon tue u boshatisë prej kapitalit të grumbulluem, para syve të saj rrin parada e ngjarjeve, që kanë ma afrim me kohën e tashme.
Kje nji kohë, që shqiptari nën êmnin e Ilirit i bani bállë zotnueses së botës! Kjo kohë tingllon ndër veshët tonë ndoshta si nji prelud harrese! Erdh nji ditë që shpata e Kruetanit u bâ mburoja e Europës e shkroj me tehin e prehtë faqet e para të nji gjallnije historike; por edhe ajo kohë iku, na la në pellgun e jetës vetmitare, n’errësinën e pa dritë, në robnín e pa meritueme. Kështu u ênd jeta për stërnipat e nji Teutës krenare. Sot, në kje se përmenden kohët e bardha tona, i ndigjon të zveshuna prej asajë madhështije kombëtare, e cila lypej të na njitëte ndër sfera mâ të nalta ideale.
Robnija katër shekullore e bani disi të vetën.
Në Durrsin e vogël, n’at breg deti të kandshëm, përtrîhet shpresa për dit të reja.
Duhma otomane kujtohet e largueme, tue lanë nënshtypjet mâ të këqija, ato mbresa, që vetëm nji robní përdhunuese âsht e zoja me lanë në zêmrat e njerëzve, që lirin e çmojn sa jetën!
Vjen nji kohë, që shqiptari nuk mundet me ndá andrren prej realitetit, kështu britmat «rrnoftë Mbreti» lëshue në tokën e lidhun vîn tue zgjue nji vênd, nji popull: shqiptarin.
Jena në Marsin e vjetës 1914. Mbreti i zgjedhun prej Fuqive europjane, vjen me nxanë nji fron të lám me gjak: fronin e Skënderbeut.
Gjithsecili vend-dashës, që ka frigë për jetën e nji kombi të lëkundun ndër valët e asaj politike së pa shpirtë, pret me gëzim kryetarin e vet, në zêmër të tij njallet sigurija për ditë má të kjarta, má të rregullta mâ të qeta.
U mendue se robnija e urrejtshme nuk do t’ishte e zoja me shndrue zêmrat e shqiptarëve. Po nji robní si ajo që provuem, nuk mujt me kalue aq pa zâ.
Dalin shqiptarë, të cilët harrojn gjurmët e Skënderbeut, gjinden asish, që nuk kan qêjf me përtrî gojdhanat jetë-përtrîse të trimníve legjendare të Herojit, lânë mbas shpine forcën e fitueme nën emblemin e Shqiptarit të Madh e, nëpër përpjekje shpirtnore, që zhvillohen n’ato kohë të pa pritme, triumfon fanatizmi. Kombësia kujtohet e lidhun me besimin e me këte permisë në dorë, ligësín në zêmër, trathtín në shpirt e egoizmin mâ të turpshëm në mênd, gjindet nji Esad Pashë me i dalë para bashkimit, me ndalue të përtrimt e me shtî pshtjellimin. E ja del!
Rob me trup, rob me shpirtë tue pasë për qëllim me i shërbye vetëm trathtís, me kënaqë andjet e unshme të nji të poshtmi, me luejt me fatin e nji populli n’agim, m’u kënaqë para grindjeve, mu ngrî para gjakut, shkakton varrën ma të madhe në komb: luftën vllaznore!
Lufta vllaznore, ky kob i tmerrshëm për jetë të nji populli, leu e u rrit qysh se dinaknija e nji turkoshaku mende-keq pat zgjedhë si mjet lufte dasínë. Ka shkrimtarë, që disa të çuem péshë i emnojn jetë-përtrîs, po të paktën i emnojn kështu vetëm atëherë, kur në jetë të nji kombi kërkohen me u zgjidhë disa probleme. Mbas barrikadave të këtyne levizjeve bertet drejtsija kundra padrejtsís, bertet i nëpërkamuni kundra zotnuesit të pashpirtë, qet zanin barazija kundër nji sproporcijoni të kjartë e të turpshëm, lypë gjyq jeta kundër dekës. Të gjitha këto vikame të paktën mbarojn në nji zâ të fortë e kumbues: për kolektivitet e për atdhé.
Po nji kryengritje, e cila ka për qëllim vetëm me i ndigjue zanit të turpshëm të nji fanatizmi të pa arsye, në nji kohë, që veç bashkimi e ndërtimi mund t’i rrijn përbáll nji shpartallimi nuk ka kurfarë të lamit para syve të njerëzve, që mendojnë si atdhetarë, tue hecë nëpër vija të sakta të nji atdhetarizmi të vërtetë.
Nji pjesë e popullit tonë të thjeshtë gabohet. Tue pá ne duer të nji Esadi, i cili gjindej para humbjes t’andrrave të veta, në njênën dorë kryqin në tjetrën Kuranin tue ndî prej nji zanit të shkyem: o Krishtin o Muhametin, disa, e jo pak ndigjojn, nuk kanë guxim me i kundërshtue zanit të zêmrës, nuk munden me dallue nëpër ato fjalë trathtín, e ulin kryet, marrin armët, mësyjn Mbretin, zbresin flamurin!
Kështu kryhet mkati ma i madh në lamën kombëtare!
Toka lahet me gjak, kodrat e Rashbullit, rrethet e bukra të Durrsit, prej Shqipnís së mesme deri në viset e jugës, shofim shqiptarët tue u kacafytë, tue vijue me nji egërsim të pandigjuem luftën vllaznore. Lufta i ka dëshmorët e vet.
Kolonel Thomsoni, zêmra e fuqive të Wiedit bâhet flî, tue dashtë me prû rregullen në vendin e kapërthyem.
Zani i vrasjes së tij përsritet në fletën e kujtimeve tona edhe sot mbas njizet e nji viteve.
Kush kje Kolonel Thomsoni?
Nji bír Holande kreshnike, ku jeta ndjekë melodín e vet t’ambel me tinguj të nji shpirti të thjeshtë e të madh, ku e mira e drejta e e bukra, përbajn thalbin kryesor të nji jete të vërtetë.
Leu në katundin Vorscoten pranë Hagës me 11 qershor 1869. I ati kje mjek i Shtabit në Marinë e gjyshi i tij, i cili mori pjesë e u dekorue në luftën e Waterloos, major fanterije. Mësimet e para i muer nën kujdesin e s’amës, Marijes e masandej në Shkollën Bergen-op-zoon. Mbaroj shkollën reale dhe në fund dha provimet n’akademín ushtarake të Bredës. Prej gradave të vogla pak nga pak meritoi m’u ba toger, ku fitoi veç këtyne edhe shum dekorata.
Me 1893 u shkrue n’ushtri të Indís e për trimnín e madhe që difton në kryengritjen e atyne viseve, fitoi titullin kalorës I dhe muer dekoratën e madhe Militaire Villemsorde. Mâ vonë fitoi edhe shum dekorata tjera.
Si këthej prej Indije pat rast me dhanë provimet në shkollën e naltë të luftës. I takoj me shkue n’Afriken e Jugut si Ataché Militaire e si këthej përsrí në Holandë u êmnue n’arkivin e historís së luftës në Shtabin Madhor. Me 1903 u gradue kapiten.
Rreth vitit 1905, la gradat e ushtrís mbasi u zgjodh deputet. Në ket detyrë të re, punoj sa mujti për popullin e tue kenë se deri tash kishte veshe uniformën e ushtarit, kujdesi i tij mâ i parë qe me formue nji ushtri, që të kishte lidhje me popull, e cila të lente më njenë ânë formalitetet e nji aristokracije ushtarake, e desht që në mes të popullit e t’ushtrís, t’ishte nji afrim e nji lidhje me nji qëllim të përbashkët, me u shërbye e me mbrojtë interesat e nalta t’atdheut.
Me 1912 la zyrën parlamentare dhe veshi uniformën e majorit, at veshë ushtarake, që, dhe në katedrën e përfaqsimit të vërtetë të kombit, e kishte dishrue e andrrue.
Shqipnín kishte pasë rasë m’e njohtë qysh në vjetën 1912, kohën e luftës ballkanike si Ataché Militaire pranë Greqís e mâ vonë dhe pranë Serbís e Malit të Zí.
Fuqít e Mëdhá ju lutën qeverís Holandeze, e cila numrohej neutrale në çeshtjet shqiptare, të mos kursente disa organizatorë për të rregullue shtetin tonë të rí, i cili gjindej në sundimin e kontrollorëve.
Kolonel Thomsoni bashkë ne 17 shokë erdhi në Vlonë me 10 nanduer 1913.
Erdh si kolonel në Shqipní për me qenë nji ndër kryetarët e rregullimit të mbrendshëm në nji vend posa të pshtuem prej nji robnís së gjatë e së mundshme, erdh me zêmrën e pastër t’atij, që në përtrimjen e nji populli, ndien kënaqësin mâ të madhe, gëzimin e théllë shpirtnor. Punoi sa mujti për rregullin e qetësín në Vlonën tonë të dashtun, e kur me 7 Mars Shqipnija priti Mbretin, shqiptari prîsin, kolonel Thompson erdh në Durrës e bashkë me shokë të tjerë Holandez u bâ krahi i djathtë i Sovranit të rí.
Nuk duem të zgjatemi ndër fletët e Historís s’asaj kohe kritike, mbetë e gjallë vetëm ndër kujtime t’atyne që e jetuen.
Kundër Shqipnís së vogël luftojshin shqiptarët me emën, kundër saj u lëshuen fuqít e hueja e kështu vjeta 1914 nuk u la me mbarue në qetsí!
Kryengritjet e Jugut, që nën gergasa të Greqís kishin nisë me marrë nji formë të hapët, shtine në mendim Mbretin. Në ndeshjet e para që zhvilluen afer Korçet, ushtrít tona fituen. Kolonel Thompson kje dergue si sundimtár i Korçës, e cila qendronte me nji heroizem kombëtár tundimeve greke, për me muejtë me trimnín e vet me pengue zaptimet e me squetsín që kishte, me bindë anmiqt për nji marrëveshtje. Po zjarmi ishte mbrenda e kur u kujtue se Esad Pasha duhej hjekë bote, kje tepër vonë.
Thompsoni rrethoi natën shpín e Esadit e e rafi me top, por trathtari pat orën çuet e në vend të merrte shpërblimin e veprave të poshtme prej Mbretit t’idhnuem u muer në dorzim prej admiralit të nji flotës së huej e në kambë që të çohej jashtë tuj u izolue kështu prej partís së vet, thohet se u qit në treg kah Porta Rromane nja dy orë kah V.P. i Durrsit.
Trathtari u bashkue me anmiqt e vet edhe rrethoj kryeqytetin gjithkah.
Tue pa kët rrezik, komanda e përgjithshme e ushtrís i u dorzue Thomsonit, i cili me ndihmën e Kosovarëve e t’Isa Boletinit, të shkodranve, të disa besnikve të Shqipnís së mesme e të 800 gjendarëve, mendoj me ja dredhë lakun me nji mësymje mjeshtrake e cila do të date fatin e levizjeve.
Puna duel ndryshe, me gjithë shpejtësín e manovrave ushtarake, Durrsi u rrethue prej mâ se 3000 vetë, të cilet që prej Portës Romane, deri te rruga e Kavajës përbâne nji gardh trathtarësh të egërsuem.
Trimi Holandez desht squetsís së mendjes me i bashkue edhe guximin e kështu tuj pasë mend me iu drejtue kodrave të Rrashbullit me nji mësymje të rreptë i prini vetë ushtrís në mes së fishkullimës së pa prashme të plumbave.
E dora e nji shqiptari të çapërdisun këputi jetën e këtij trimi të pa shoq, i cili bashkë me shum shqiptarë të tjerën fitoi kunorën e heroizmit.
Kjo ndodhi me 15 Qershuer 1914.
«Nuk kam ardhë në Shqipní me lanë nderën, por jetën» i u përgjegj dikur me egërsí atij që mendonte me gjetë në Thompson-in lodërtarin e nji politikës së brishtë, e jetën ia fali vendit tonë me at guxim që karakterizon njerzit shpirt-mdhaj, me at dishírë e abnegacjon, që dallon herojt.
Gjithë kohën, që kaloj në Shqipní, u diftue puntor i pa-lodhun, ushtar besnik, atdhetár i flakët. Ata, që e njohtën e provuen ambelsín e gojës së tij e madhsín e zêmrës e përshkruejn burrë me tanë kuptimin që ka fjala burrní.
Nuk njohti kurr ç’âsht friga. Nëpër llogore të Durrsit shetitëte maje kalit, pa pasë frigën e plumave.
Për gjendarët, që aq mirë i rregulloi, i disiplinoi e i ushtroi kje nji átë e nji pris. Në tê pau shqiptari personifikimin e ushtarit të plotsuem e të njeriut të pa përkulshëm.
***
Kanë kalue plot 21 vjetë: tue hjellë për pak çaste shikimin në nji të shkueme jo fort të largët na epet me mendue mbî ato ditë gjakut, me mendue për themelimin e nji s’ardhme së sigurtë e së qendrueshme. Tue dashtë me rëmue théllë në rrjedhjen e jetës së nji kombi gjejmë dy soje luftash: luftën e vërtetë e luftën shpirtnore. Lufta ose mâ mirë me thanë në këtê rasë kryengritja, âsht përfundimi i kulmit të lëvizjeve së mbrendshme, të cilat tue dashtë me marrë nji formë landore shpërthejn në krisma pushkësh e topash.
Ajo që ka mâ tepër randësí âsht kryengritja shpirtnore e cila shkon tue u formue kadálë dhe e sigurtë.
Njeriu shef e ndîn, po çdo gjà e cila mbrrin deri te zêmra, ngulitet, shkon tue u zmadhue tue marrë nji formë të dallueshme tue dalë përmbi tjerat.
Njeriu bâhet rob impulsesh së mbrendshme e atëherë rregullimi i veprimeve drejtohet prej nji selije, prej nji fuqije, të cilën âsht vështírë m’e pengue. Kjo soj kryengritjet âsht mâ e rrezikshme se nji stuhí rebelimi, e cila don me çue në vend dishire të sipërfaqshme, don me kënaqë instinktet barbare të rrënimeve materialiste.
Po thuej se të tanë të huejt, që patën gisht në vendin tonë të vogël po të lakmueshëm, kërkuen me lëshue rryma dampruese në shpirtnat e shqiptarëve, kuptuen mirë se nji kryengritje e mbrendshme âsht pregatitja mâ e mirë mâ e sigurtë e gjetën ndër shum raste frytin e farës së mbjellun.
Mbas prendimit të kohëve të Skënderbeut, erdhën tue u formue rryma të reja shpirtnore, të gjitha drejtue kah nji qëllimi: me shue at lidhje të mbrendshme, që ka sejcili me tokë, zakone e jetë të vendit të vet, me hjekë dishirin e nji êmni të trashiguem e nëpër sisteme dhelpnore me shartue bashkë me të tjera edhe busolen e jetës, zêmrën.
Shofim në kohë të pashallarëve shqiptarë kah gega turret kundra toskëvet, mohamedani kundra të krishtenit, vetëm për me i ndejë besnik mësimevet të marruna, injeksioneve të pasuna, pa dijtë se n’at mëndyrë u bânte nji vegël e verbët e shfrimeve të tjerëve!
«Të vjetrat rrëxohen dhe themele të reja ngrehen përmbî germadha» la të shkrueme poeti gjerman Goethe.
Nji edukatë shoqnore shqiptare na ka mungue që me kohë.
Pa kët nuk mund të kemi edukate kombëtare.
Për me shtî atë vllaznim të vërtetë në mes të banorëve të nji kombi, për me hjekë atë pjesë të sipërfaqshme, që shpesh nxen lmashk, ndër lidhje e dashtní shoqnore, duhet të fillojm jo prej gërmadhave, po prej themeleve.
Shqiptarë me êmën kemi pá mjaft, shqiptarë në kohë zyresh, atdhetarë në kohë paresh, mikluesa ndër ditë rreziqesh, por me të këtillë na u xû fryma, për të këtillë nuk kemi nevojë.
Dishrojm nji Shqipní me njerëz, që ta ndiejn në shpirtë përgjegjsín e êmnit që barin, e të mundohen për ditë e má tepër me fjalë e sidomos me vepra m’u diftue birë të dejë të nji Atdheu, i cili ka nevojë për shqiptarë deri në skutat mâ të thella të shpirtit.
Çka na ka mungue ndër kohët e kalueme, nuk duhet të mungojë edhe ndër ditë tona.
Jemi bij të nji fisi, të nji gjaku, të nji gjuhe, ndonse jo të nji besimi e duhet të mendojmë, të duem, të punojmë e të jetojmë për nji atdhe, për Shqipní me tanë kjartsín e zêmrës me të tanë jetën e mendjes me të tanë fuqít e trupit.
Tue kujtue plagën e madhe, që shkaktoj luftën vllaznore, sot mâ fort se kurr na epet me kërkue mjete për nji luftë të mjeshtrueme kundër valëve të disa shpirtnave, të cilët përmbrenda rrinë të pandyshueshëm me gjithë ndyshimet e mëdhá të kohës.
Jetojmë në nji familje jo të hapët e njihena fort mirë. Çdo vepër e kryeme prej pjestarëve të kësaj familje âsht e rregjistrueme në librin e përgjithshëm të kombit. Tue lëshue nji sŷ këtij libri mund të gjejmë cilat janë germadhat që duhen pastrue dhe ku duhet hjedhë guri parë i ndërtimit të vërtetë, i atij ndërtimit, që do të na njesë kah lumnija e sigurtë, kah virtytet thjeshta shqiptare.
Kúr mos të na mungojë dishiri i ndërtimit, kúr të jemi të forcuem me vullnetin me ndreqë çka asht e keqe e pa pelqyeshme e e damshme; jo simbas mendimit të ndonjenit, po si mbas gjykimit të përgjithshëm e sidomos mbas mendimit e arsyetimit t’atyne, që e ndiejn théll përgjegjsín e veprimeve, atbotë do të mundena me jetue të sigurtë për ardhmëní të kombit, do të mund të përbajmë nji trup të pandám e at «frangar non flectar»* që kolonel Thompson e shqiptoj me gjuhën e heroizmit, shqiptarët e nesërm të mbledhun para nji monumenti të thjeshtë, simbol atdhedashunije, me vepra kan me e thanë prej fundit të zêmrës me zâ të naltë: Thehena, por nuk përkulena.
Vetëm atëherë kena për të mujtë me jetue me dinjitet n’Europë; atëherë kena për të mujtë me sjellë faqen e parë të historís kombëtare e me shkrue rreshtat e fillimit të faqes së dytë.
Vetëm atëherë do të shpërblehet gjaku i fatosave.
thehena por nuk perkulena * (latin)