Aristidhi lindi në vitin 1944 në gjirin e një familje shqiptare arvanite, banues autokton në fshatin Leontari të Thivas (Tebë), zonë e cila banohet kryesisht nga arvanitas. Aristidhi u edukua me frymën e dashurisë për traditat e të parëve, që trashëgoi kjo pjesë e madhe e popullatës shqiptare në Arbaninë jugore, ku Fuqitë e Mëdha në vitin 1829 mbivendosën shtetin ortodoks që e quajtën Greqi. Mësimet e ulta e të mesme, Aristidhi i kreu në shkollën e Tebës në gjuhën bizantine-romaike e quajtur greke. Në vitin 1963, u rregjistrua në fakultetin Juridik në Universitetin e Athinës, ku ndoqi studimet për jurispudencë. Mbas përfundimit të studimeve, në vitin 1968 hapi një zyrë avokatie në Athinë për të marrë në mbrojtje bashkatdhetarët e tij, nga cënimi i të drejtave të tyre kushtetuse nga segmentet antishqiptare që vepronin brenda dhe jashtë strukturave të shtetit grek. Krahas punës profesionale, Aristidh Kola u mor edhe me studimin e gjuhës, kulturës dhe traditave të shqiptarëve arvanitas të Greqisë. Në vitin 1983, Aristidh Kola përfundoi studimin lidhur me arvanitasit e Greqisë dhe botoi veprën e parë me titull: “Arvanitët dhe Prejardhja e Grekëve”, e cila u prit ngrohtësisht nga publiku arvanitas. Po atë vit botoi revistën “Besa”, e cila pasqyronte jetën dhe traditat e botës arvanitase. Në vitin 1984, Aristidh Kola erdhi në Shqipëri për t’a njohur vëndin e shqiptarëve dhe u takua me shumë personalitete politike e kulturore të asaj kohe. Në vitin 1985, Aristidh Kola u zgjodh kryetar i shoqatës “Lidhja Arvanite-Marko Boçari”. Po atë vit, krijoi “Qendrën e Studimeve Pellazge”, “Qendrën e Studimeve Arvanite”, ngriti Shtëpinë Botuse “Thamira” dhe me bashkëpunëtorët e tij, organizoi “Festivalin e Parë të Këngës Arvanite”. I qeshur dhe i dashur, Aristidhi ishte mik i të gjithë emigrantëve shqiptarë në Greqi. Në zyrat e shoqatës arvanite “Marko Boçari”, organizonte aktivitete politiko-kulturore për Shqipërinë, si dhe për personalitete të rëndësishme arvanite të Greqisë. Aristidhi bashkëpunoi me të gjitha rrethet e diasporës shqiptare në Botë. Ai mbante lidhje dhe bashkëpunoi me arbëreshët e Italisë, me shqiptarët e Amerikës, me intelektualë të Kosovës, të Turqisë dhe atyre të Shqipërisë. Ai ishte lidhur edhe me arbëreshët e Korsikës. Në vitin 1988, botoi “Proklamatën e Lidhjes Arvanite 1897”, e themeluar në Greqi me emërtimin “Lidhja Arbërore” me kryetar Marko Dh. Noti Boçari dhe anëtar të gjithë pinjollët e prijsëve të famshëm të vitit 1821. Në hyrjen e librit “Arvanitët dhe prejardhja e grekërve” Aristidh Kola shkruan. Lidhja Arbërore e vitit 1897 dhe pinjollët e prijsëve të famshëm…përpiqen të bindin mbretin Gjergji I në prag të zhvillimeve në Ballkan se: “nëse nuk realizohet pakti me shqiptarët e islamizuar të zonës lindore të vëndit, sigurisht…Greqia e lirë edhe vetëm me kontribut të shqiptarëve të krishterë do të mund të luajë rol kryesor…por gjithashtu është e sigurtë, se pa ndihmëm e të parëve nuk do të arijë të kufizojë kërkesat e pabaza dhe fjalamane të bullgarëve, serbëve e rumunëve”. Njëkohësisht Lidhja u dërgon shqiptarëve një thirje, ku midis të tjerave, theksohet: “Vëllezër…sado që na ndajnë vendi dhe feja, nuk pushojmë së qeni vëllezër…Duhet ta lemë mënjanë armiqësinë që na shkaktoi turqëria dhe fetë…Në zemër të popullit grek dhe arbnor është rrënjosur ndjenja e afris…greku para se të bëhej grek, ishte arbër, dmth pellazg…Grek do të thotë arbër i qytetëruar…” Në vitin 1989, Aristidh Kola botoi veprën e tij të dytë me titull “Gjuha e Përëndive”. Në vitin 1995 Aristidh Kola erdhi përsëri në Shqipëri, ku u çmall me njerëzit dhe gurnajat e malit. Po atë vit botoi veprën me titull “Fjalori krahasues i gjuhës Arvanite” dhe përmblodhi në dorshkrim veprën me titull “Prometeu dhe Zeusi”. Po atë vit botoi artikullin me titull “Greqia në kurthin e Serbëve të Millosheviçit”, ndërsa në fillim të vitit 1998, botoi revistën kulturore “Arvanon”. A. Kola u bë i njohur në Kosovë në periudhën e bombardimeve të NATO mbi Serbinë dhe sidomos për përkrahjen morale që i dha luftës së UÇK-së në periudhë 28 shkurt 1998-24 mars 1999, duke u shfaqur në disa emisione televizive. Kjo shkaktoi reagimin e disa grupeve proserbe, me të cilat u ndesh në rrugë gjyqësore.
Aristidh Kola bëri një punë këmbëngulëse për afirmimin e identitetit arvanitas në Greqi. Ai nisi hartimin e fjalorit arvanitas, vepër të cilën nuk arriti ta përfundonte. A. Kola vdiq në vitin 2000 pas një “sëmundjeje të rëndë-leucemi në gjak”. Të gjitha burimet puqen në përfundimin se, vdekja e tij është vepër e segmenteve antishqiptare nacionaliste e kishtare sllavo-greke-vllehe. Aristidh P Kola është Dëshmori i katërmbëdhjetë i Gjuhës Shqipe, pas dëshmorëve Pjetër Bogdani, Dhaskal Todhri, Naum Bredhi Veqilharxhi, Anastas Kullarioti, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, at Harallamb Ballamaçi, at Stathi Melani, Petro Nini Luarasi, Nikolla Jorga, Papa Kristo Negovani e Llambi N Kota. Në vitin 2022, Arvanitasi i Shquar, Rilindasi i Kohëve Moderne, ARISTIDH P. KOLA MORI TITULLIN E LARTË “NDERI I KOMBIT”.
Cikli i “Dëshmorëve të Gjuhës Shqipe”, mbyllet me mëmëdhetarin Aristidh Kola. Katërmbëdhjet Dëshmor të Gjuhës Shqipe. A gjinden rrugë, shkolla, institucione arsimore e kulturore që mbajnë emrat e tyre? A janë dekretuar “Dëshmor” dhe eshtart e tyre prehen në varrezat e “Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë”? A gjinden emrat e tyre në Enciklopedinë e Kombit Shqiptar? Gjuha e folur shqipe dhe teritori kombëtar shqiptar, janë dy elementët që përcaktojnë Kombin Shqiptar. Si rjedhim të gjithë kontributorët e Gjuhës Shqipe duhet të gdhenden me shkronja ari në “Panteonin e Shqiptarizmës”. Me librin tim me titull “Ortodoks Shqiptar, me pushk e pen për Gjuhën Shqipe e Mëmëdhenë”, që do botohet së shpejti, po cek një pik ari në panteonin e tyre.