Tek ajo kafja… erdha përsëri.
Aroma e vjetër
nuk kishte veshur rroba të reja,
njerëz të rinj me petka të vjetra,
më shihnin me sy pronari.
Karrikja e shtrembër
renkoi si qeni plak, Argos,
kur nuhati këmbën e të zotit.
Kamerieri i ri i habitur
u afrua si një hije pa diell.
Ca klientë,
si zengjinë të rinj arrogantë,
bërtisnin.
Heshtja ime
strukur frikshëm në një cep shpirti.
Kujtesa e vrarë hovi nga gjumi…
Ajo… gruaja e bukur
nuk kalonte më aty
dhe ëndrra qau…
Lotët nuk rrodhën,
zëri nuk foli me zë.
Myshku i drunjtë në një cep muri
u bë jeshil…
Kafja bulëzonte me shkumën si zifti në zjarr.
Një llambë e vjetër përballë një abazhuri
u thye pa vaj…
Tiranë 04/08/2022