Nga Shanghai, shkruan Përparim Gjeka.
A DO TË KETË LUFTË NË PAQËSORIN AZIATIK?
Shkurt…, Jo!
Të paktën jo edhe për rreth 10 vjet. Një luftë në Paqësorin Aziatik do të thotë luftë e tretë botërore në kushtet aktuale dhe duket se askush nuk është gati, e para së gjithash Kina e cila shihet si fuqia kryesore që me rritjen ekonomike do kërkonte edhe një ndarje të re influence në botë e të paktën në Azi.
Ndarja e re e influencave nëse nuk arrihet me fuqi ekonomike, historia tregon se tentohet me fuqi ushtarake dhe Kina sipas parashikimeve do të ketë një fuqi ekonomike dhe ushtarake të përafert e ndoshta më të madhe se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm pas rreth 10 vjetësh. Në filozofinë e lashtë kineze të cilën lidershipi aktual kinez e njeh mirë përcaktohet qartë se luftërat fitohen para se të luftohen, me fjalë të tjera nuk fillohen luftëra që nuk u dihet rezultati.
Strategjia aktuale e Kinës me sa kuptohet nuk është konfrontimi ushtarak, por fuqizimi i shtetit dhe rritja ekonomike dhe ushtarake, rritja e influencës politike, diplomatike dhe ekonomike në sa më shumë shtete të botës e njohur si teoria e soft power; rritjen e ndikimit kulturor kinez mbi pjesën tjetër të botës; engagement në harxhimin e resurseve dhe lodhjen e kundërshtarëve politikë në Perëndim të cilët kanë filluar ta trajtojnë Kinën si rival strategjik; multipolaritetin rajonal domethënë superioritetin e fuqive rajonale mbi vendet fqinje më të vogla, për të pasur më shumë aleatë kundra Bllokut Perëndimor me SHBA në krye.
Në këto përpjekje nuk është se Kina nuk ka pasur rezultate; shume vende sidomos në Afrikë por edhe në Europë si Serbia apo Greqia, e shohin Kinën si ndihmë dhe jo si rrezik. Gjithashtu fuqi rajonale si India, Brazili, Afrika e Jugut etj. miklohen nga ideja e multipolaritetit kinez. Por hapja e një lufte nga Kina bie ndesh me ato objektiva të mësiperme. Jo vetëm interdipendenca ekonomike me vendet e zhvilluara perëndimore ku vetëm tregtia ditore me Bashkimin Europian kap shifrën e dy miliardë eurove, por edhe varësia për lendë të para nga importi për vetëmjaftueshmerinë e ekonomisë kineze e bën të vështirë mbijetesën dhe progresin e vendit.
Një arsye tjetër që Kina nuk është e përgatitur për luftë ka të bëjë me mënyrën se si funksionon partia komuniste kineze dhe lidershipi i saj. Në fakt nuk ka një diktator si Rusia në krye të piramidës partiake, shtetërore dhe ushtarake që vendos për gjithçka sipas mendjes së vet, megjithëse lideri aktual i mban këto poste. Vendimet e rëndësishme merren në mënyrë kolegjiale, shumë propozime vijnë nga poshtë lart për miratim, ka akademi, katedra universitetesh, institute studimore, think tanke, shërbime sekrete shtetërore etj. të cilat dorëzojnë studime periodike në organet vendimmarrëse, ka gjithashtu edhe rryma mendimi e interesi ndryshe brenda vetë partisë, të cilat do duhen të sistemohen para se të dalin hapur në publik. Një mekanizëm i tillë kontrolli, ku edhe njëshit do i duhej të jepte shpjegime për një vendim kundër mendimit të një pjese të sensibileteve shtetërore është një barrierë më shumë kundër luftës. Kongresi i 20 i partisë që do mbahet këtë vjeshtë e ku do (ri) zgjidhet lidershipi i pesë viteve të ardhshëm do na thotë shumë edhe për kursin e ri politik, ku nuk përjashtohet një afrim me Perëndimin si në dekadat e kaluara kur ekonomia kineze lulëzoi më së shumti duke përfituar nga globalizmi.
Një arsye tjetër pse Kina do mendohej dy herë nëse ndërhyn ushtarakisht në Taiwan është edhe dështimi i Rusisë në pushtimin e Ukrainës; shumë gjëra mund të mos jenë aq të lehta sa duken në letër apo në hartë. Taiwani ka një forcë ushtarake të madhe, të konsoliduar në vite dhe me armët më të sofistikuara të kohës.
Arsyeja kryesore megjithatë për këtë pakt mossulmimi midis Kinës dhe Taiwanit për kaq shumë vite është fakti që janë një komb dhe nuk mund të bëhet një betejë me trajta të luftës civile. Kina dhe provinca e saj e Taiwanit sic njihet ne Kinë janë dy sisteme që kanë mundur të bashkëjetojnë e madje të bashkëpunojnë e perfitojnë reciprokisht nga paqja, ashtu si gjithë shtetet e tjera të Perëndimit me Kinën, mjafton që lidershipi ishullor të mos bëjë përpjekje për pavarësi të plotë te njohur nderkombëtarisht.
Dhe sipas strategut politik dhe ish liderit Deng Hsiao Pin, i cili mundi t’ia kthejë Kinës Hong Kongun dhe Makaon, zgjidhjet që duken të vështira për liderët e sotëm do të jenë të lehta për liderët e brezave të ardhshëm, kështu që shpresojmë se njerëzimi do të gjejë rrugë të ndryshme drejt paqes në të ardhmen, përkundër besimit të deritanishëm: nëse do paqe përgatitu për luftë.
Shenim: Këto radhë u hodhën në respekt të disa miqve që më kontaktuan për mendimin tim në lidhje me acarimet e ditëve të fundit në Paqësorin aziatik.