NUK MË NJEH KUSH NË TIRANË…
-Rikthim tek kryeqyteti i dashur pas një dekade
Koha fluturoi dhe erdhi momenti t’i rikthehem vendlindjes sime me emrin e bukur Shqipëri.
Asnjë nga miqtë e mi amerikanë nuk ka mundur të shqiptojë saktë këtë emër ndërkohë që ua them në shqip.
Unë thjesht kam qeshur se, me sa duket, emri im ka të njëtin fat: keqshqiptueshëm nga të huajt. Por kur u them miqve të mij se jam nga kombi që i dha botës Nënë Terezen, ata befas qëndrojnë gati-tu… Është magjia e hyjnores, që rastësisht ndodhi të ishte shqiptare…
Gati një muaj më parë, para nisjes, më mbytën ëndrrat “me Shqipëri”, ëndrra që ishin fashitur në vrullin e përditshëm të punës në Amerikë.
Është e vërtetë se jeta në këtë kontinent gjigand është “kominoshe dhe gjumë”, por besomëni, ka edhe po aq mundësi qejfi dhe argëtimi sa edhe në Shqipëri. Sepse këtu së pari punon për egon tënde, pastaj për atë se “ç’thotë komshiu…”
Jam nga ata ikanakë të shekullit të shkuar, që e dua vendlindjen time. Verbërisht i dashuruar pas të shkuarës sime varfanjake, pas të shkuarës me “njëshin në krye”, pas të shkuarës ku “ç’thotë partia bën populli” dhe të gjithë në turmë brohorisnim me xhepat bosh, por shpresëplot se do vinte një ditë… Ajo kohë erdhi. Nuk ka më “Një parti në krye”… Jemi të gjithë në krye dhe po aq të marrë sa e kërkon koha që me shumicë e jeton njerëzimi i këtij globi… Kam aq shumë ëndrra për të treguar, kam aq shumë mall për të rrëfyer, kam aq shumë brenga për të ndarë dhe fluturimi drejt Atdheut tim më duket si “fluturim drejt ferrit”…Me një ankth të çuditshëm pres avionet të ndërrohen dhe hesht. Kam një mall të madh, që më duket idjotësi në sytë e atyre që jetojnë në Tiranë. Por unë shpresoj të më kuptojnë. Ndërsa fluturoj andej nga lind dielli, kam një ndjesi se do humbas mes ujrave të Atlantikut. Më duket sikur do vdes pa arritur në Tiranë, pa shtrënguar durat me ata që kam mall dhe i dua, edhe pse ma kanë harruar ermin… Frikem. Më duket se do lë vejushë timeshoqe në Amerikë, më tmerron fakti se ç’fat mund të ketë ajo dhe nuk e di pse nuk kam hiçhall për veten time që mund të vdes pa arritur në Shqipëri…
Arrij në Tiranë në një mbrëmje të vonë. Dritat llamburisin kudo. Adriatiku valëzon si dikur në “kohën e diktaturës”, ndërsa rrugët janë ndryshe…Lëvizin mijra maqina, mijra ëndrra dh dëshira…Nga lartësia shoh rrugë të bukura dhe një llamburitje konstante… A thua jam diku në Zvicër? Nga lartësia e qiellit vendlindja më duket një “parajsë e munguar” ndërkohë që e di se kudo ka një jetë, një problem, një dashuri apo një vdekje…Ligji i hekurt i jetës nuk mund ta anashkalojë Atdheun, ku unë rastësisht linda dhe kurrë nuk e vura në pikpyetje…
Një miku im i vyet më pret në aeroportin “Nënë Tereza”.
Duke u përqafuar me të, sikur përqafoj gjithë Shqipërinë. Vite më parë, kur vija këtu, Shqipëria buçiste “Nano Ik”. Ato kohë do më priste gazetari dhe botuesi Medi Koxhaj dhe unë, më një karton në dorë do dilja nga aeroporti me fjalët e shkruara “Medi mos ik”…Tanimë, Medi Koxhaj ka ikur me të vërtetë atje ku është “shumica” njerëzore… Tani është një “klimë tjetër”. Ca bërtasin “Basha ik” e të tjerë mallëngjueshëm si dikur para “tribunave të 1 majit” kur çirreshim “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”, një shumicë sikur evokon të njëjtën idjotësi shqiptare. Unë hesht. Dua të shijoj Tiranën time në heshtje dhe melankoli. Ajo më duket si një bunker hitlerian, ku betoni dhe hekurat sikur ia marrin frymën qytetit më të bukur të rinisë sonë, Tiranës. Ndiej në heshtje rënkimin e qytetit të “bërxollave” dhe “krikove të birrës”…Ndiej në heshjte hapat e lehtë në bulevardin e madh që sikur janë koncenturar në sheshin “kurrizo” në mes të Tiiranës…
Si një llavë vullkanike ndërtimet janë përhapur gjithandej. Pa formë, pa plan, pa ide, pa vision,pa shpresë….Beton dhe hekur kudo. Pluhur, zhurmë dhe kafene kudo. Njerëz që i bien tavolinës me grusht, si dikur “Opinga e Hrushovit” në OKB.. “Pse nuk mori afganë Austria, por vetëm ky “I gjati ynë”?… Ku po shkojmë?…” Nata përcjell zëra revolte kudo, ndërsa jo pak kontrollojnë koshet e plehrave… Kjo dodh edhe në Amerikë, të varfërit dhe të pashpresët janë pjesë e shoqërive. Ata kanë vendin e tyre dhe ne, me fat ndryshe, ofrojmë mëshirë dhe lutje për ta… Këtu nuk lutet kush, këtu prania e tyre sikur lumturon një shumicë tjetër fatkeqe…
Gjindem i humbur në Tiranën e ëndrrave të bukura. Më duket se vetëm mali i Dajtit “vështron” mbi mua me një mishërim të ftohtë e të hidhur. Nuk di se ku të çojnë rrugët dhe unë mbetem i hutuar mes llafnajës dhe betoneve kryeneçe. Tirana ka ndryshuar. Tirana është zhbërë. Ajo është marrë “peng” i parasë që nuk mund të numurohet, por thjesht konvertohet në beton , hekur dhe qiellgërruese të frikshme.. Kërkoj të gjej diku sahatin e madh, këtë symbol të qytetërimit shqiptar, por nuk mundem. Është groposur mes kullash dhe betone pa fund. Më dhemb kjo katraureë mbi ëndrrat dhe kujtimet tona. Më bën të bërtas si i çmendur në mes të sheshit ‘Skënderbej” që më duket si “Tirana me barrë”… “Këtu ka ndodhur “përdhunimi” më monstruoz i shekullit” belbëzoj në përlotje. Humb duke hedhur hapat sa në lindje aq në perëndim, sa në veri aq edhe në jug… Hedh hapat me frikë mbi “barkun” e një sheshi që e lashë të sheshtë dhe të vërtetë. Tani frikem kur çapitem. Kërkoj mos gjej ndonjë të njohur ndërsa hedh hapat me frikë mbi “28 mijë gurët” e gënjeshtra të “guvernatorit” të këtij qyteti që ishte ëndrra më e madhe e jetës sime… Askush nuk më njeh me maskë në fytyrë, askënd nuk mund të njoh. Më shijon tmerrësisht ky anonimitet.Si i marrë ec kryq e tërthor.Tirana nuk ka “sokak të marrësh”, Tirana ka një “qeveri të marrësh” që së fundmi duan ta bëjnë “Fener femrash” në botë…Mbetemi si dikur “ndriçim” dhe “rrugë zhvillimi”… Më dhemb kjo lloj madhështie ekranesh.Malet nuk mbajnë më parrulla “rroftë qeveria”, peshën e maleve e kanë marrë ekranet e shumta… Zhurmë kudo. Llafe çdo cep. Dua të bërtas, du ta them “Poshtë qeveria”, dua të them “Poshtë opozita”, dua të them “Turpi qoftë me ju”, por nuk e di se kush mund ta ma dëgjojë këtë brengë… Ec dhe nuk shoh dot asnjë fytyrë që mund të njoh. Dikur në atë shesh kam takuar aq shumë shokë e miq. Aq shumë vajza dhe gra të bukura, aq shumë intelektualë dhe akademikë… Ku janë sot? A vallë nuk e dinë për ardhjen time të beftë pas një dekade harruar? …
Askush nuk më njeh në qytetin ku rashë në dashuri dhe u bëra baba 2 herë. Askush nuk më flet në qytetin ku ëndrrat “putheshin” me qiellin.Kujtohem se edhe unë nuk jam ai që kam qënë. Kanë ikur aq shumë si puna ime dhe unë kot kërkoj të jem “i famshëm” si dikur kur bëja një kronikë në Radio-Tirana.Tirana është bërë metropol ku ka gjuhë dhe forcë vetëm betoni, hekuri dhe “paratë e dyshimta”… E qeshura vanitet nën këtë dhunë të frikshme të atyre që derdhin miliona përmes grykës së beton-rrotullueseve. Pashë të ngrihej një qytet beton-fantazmë aty ku e qeshura jonë pushtonte dikur pafajësinë e Tiranës që na rriti….
“Zgjohu”- më thotë një zë.-“Është koha e brezit tjetër…”
Hap sytë dhe dua të shoh “brezin tjetër”, por nuk më lënë betoni, qiellgërryeset dhe tymi i fjalëve nga kafenetë pa fund…
Askush nuk më njohu në vendin tim, ndaj ulem diku, porosis një kafe dhe ujë dhe i them vetes “Gëzuar…Mirseerdhe aty ku ishe…”
*Titulli redaksional