/”Zërin tënd atdhe, ma sjell bregu i liqenit të Çikagos, prej mijëra milje larg…”/
Në kuvertën e një varke të vjetër
me rrema të gjymtuara,
lundroja symbyllur
me ëndrra qiellore.
Bregu i liqenit
më sillte nga larg zërin tënd
përhumbur,
në afshin shtjellakaltër.
Nuk e dija në më kishe menduar,
kur asnjë letër nuk kishte mbërritur
në kutinë postare,
nga shpirti grua fëmijë.
Ajri i lagësht këndonte mbyturazi
për të larguar zërat
në mendjen time ngatërruar.
Lotin që ra,
si një fluturzë në fijen e barit,
e nisa në kërkim të portës së drunjtë,
me aromë duart e saj.
Ka vite që nuk mendoj
e nuk grindem më.
E qeshura jote si një valë farfuritëse
që nxjerr çdo gjë në breg,
dëboi vetminë,
strukur boshllëkut,
në kallamishte ku nuk mund ta gjeja dot më…
Chicago 07/21/2022