…së Uriah Hipit (Uriah Heep)
Fragment nga “David Copperfield ”
…- Mua s’më pëlqen kur të tjerët flasin shumë për përulësinë e tyre, – ia prita, – ose për diçka tjetër që ka të bëjë me veten e tyre.
– Oh , po pse, a nuk e dija një gjë të tillë? – tha Uriahu dhe atë çast fytyra e tij, nën dritën e hënës, dukej e qullët dhe ngjyrë plumbi. – Sa pak që e njihni përulësinë e vërtetë të një njeriu që ndodhet në gjendjen time, master Koperfild! Im atë dhe unë kemi mësuar me bursë në shkollë për djem; nëna u rrit në një shtëpi, si të thuash, bamirësie. Nga mëngjezi gjer në darkëna mësonim të ishim të përulur, vetëm këtë na mësonin dhe asgjë tjetër! Duhet të ishim të përulur përpara atij personi, të ishim të përulur edhe përpara këtij personi; të hiqnim kapelën këtu, të përuleshin në shenjë nderimi aty, dhe të dinim përherë vendin tonë dhe t’u rrinim me dorë në zemër atyre që qëndronin më lart se ne. Dhe sa njerëz kishte që qëndronin më lart se ne! Im atë ishte aq i përulur, sa i dhanë “medaljen e kujdestarit”. Po atë medalje e mora edhe unë. Ngaqë ishte njeri i përulur im atë u bë kandilonaft. Fisnikët e mbanin për njeri me sjellje shumë të mirë dhe për këtë arsye, vendosën ta gradonin. “Ji i përulur, Uriah, – më thoshte im atë, – dhe ke për të shkuar larg. Mos harro se kështu na kanë mësuar në shkollë si mua, ashtu edhe ty. Kështu punët shkojnë më mirë. Ji i përulur, Uriah, – më thoshte im atë, – dhe do t’ia arrish qëllimit”. Dhe me të vërtetë që nuk më doli keq.
Atë natë, për here të parë, e kuptova se ajo përulja e neveritshme sa për sy e faqe ishte diçka e trashëguar në familjen e Hipit. Kisha pare të korrat, por s’kisha menduar kurrë për farën…
Charles Dickens
Shqipëruar nga Vedat Kokona