“Asnjë kundër, asnjë abstenim”. Janë të rralla momentet kur kryetari i Kuvendit i shqipton këto fjalë pasi deputetët votojnë. Një i tillë ishte sot- shkruan Express.
Marrëveshja 236.7 milionë dollarësh e nënshkruar me SHBA-në është një mundësi e mirë për Kosovën.
Kuvendi e ratifikoi marrëveshjen e nënshkruar me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në Washington DC. Në sallë ishin 89 deputetë dhe të gjithë votuan pro. Asnjë nuk ishte kundër. Askush nuk abstenoi.
Paraprakisht, përmes një mocioni procedural deputetët u pajtuan që kjo marrëveshje të futej në rendin e ditës. Dëshmisë së unitetit të rrallë mes ligjvënëse, mund t’i shtohet fakti se futja e kësaj pike në rend dite u propozua nga kryetari i Komisionit për Ekonomi, deputeti i PDK-së Ferat Shala.