Nëpër natë trokitje çizmesh ushtarësh, nëpër natë vdekja kishte nisur marshimin e saj mbi shpirtra të lodhur nga etja për të qënë të lirë. Po e ekzekutonim si për të zhdukur çdo formë dhe dëshmi të ëngjëjve të pafajshëm,dhe unë isha aty duke ngrohur hekurin e ftohtë të armës me shpirtin që kishte acar nga nata plot baltë e shkurtit. Vërtet kisha humbur besimin,si qënie që vidhet skutave.
-Ej ushtar bëhu gati, 200m rrugë janë akoma.
Ishte zëri i komandantit që më zgjoi dhe me kujtoi diçka që nuk doja kurrsesi të ishte pjesë e përjetimit tim të dhimbshëm. Nuk e di, por diçka më brente nga brenda…
Pse, vriteshin edhe poetët?
Ai i pari ishte poet. Në shkollë mësuesja e letërsisë na thoshte se njerëzit me shpirt të madh në boten që jetojmë jane vetëm ata që shkruajnë sepse pasqyrojnë bukurinë e jetës me fjalë shpirti.
Po ç’kishte bërë ? Dy vargje…
Mbi aromën e gjakut shpirt i burgosur
Fluturojnë dhe qajnë pëllumba të bardhë …
Armik i rrezikshëm i pushtetit popullor, agjitacion dhe propagandë, agjent i shërbimeve të huaja etj etj.
-Në atë kodrën përtej kam shtëpinë, tani nuk ka korent se nënës ja kanë prerë se nuk ka para për ta paguar, e di sa bukur është në pranverë.
Ishte një zë i bukur, i ëmbël si fllad ere në buzë mbremje të ngrohtë. Ktheva kokën.
U çudita. Ishte poeti. Nga herët e tjera, kur flisnin të dënuarit. I godisnin. I shanin. I tërhiqnin zvarrë sipas stinës, baltë, pluhur, bar jeshil apo sipas vendit, që mund të kishte edhe gur. Heshtje, mos vallë të gjithë po mendonim të njëjtat gjëra,mos vallë …Kishim ekzekutuar me dhjetra, ministra, deputetë, sabotatorë, kriminelë, pse jo edhe zv/kryeministër, profesorë, doktorë.
Çudi, e njëjta akuzë, e njëjta skuadër, të njëjtat lutje, të njëjtët lotë, por ky djalosh 20 vjeçar buzëqeshte.
E pamundur, kaq i qetë. Hëna që ishte e plotë, në shesh të hapur, derdhte hirin e saj të mekur e të vakët si qefini që ky djalosh s’do ta kishte kurrë.
Arritëm. Dy prozhektorë ndriçonin dy pika të ndryshme.
-Ushtar mere të dënuarin -prapë zëri i rreptë u perplas në muret e veshëve të mija, si një oshtimë që më shtoi të ftohtin e kësaj nate.
-Atje!-Një gropë e hapur priste dy shpirtra, një që po ikte me mallin e jetës dhe tjetri për ta përjetuar dhimbjen. Djaloshi eci vetë para. Dhjete hapa, sa shpejt për ti bërë.
-Ti ushtar po pret për fjalën e fundit,-ai ngriti kokën në drejtim të hënës dhe drita iu derdh si për ti kërkuar të shkonte bashkë me të në parajsë.
-Dëgjo ushtar-zërit i ishte prishur harmonia, frikë!Jo, ishte emocion, vallë vdekja kishte frikë nga poetët.-Kur të kalosh në fshatin tim kthehu dhe i thuaj nënës se jam mirë, se do të kthehem dhe mos m’i mbulo sytë.
I hodha dorën në supin e djathtë, diçka më ngrohu.Gjak….Më treguan me parë se në qeli e mbanin të lidhur me tela me gjemba dhe pranga.Ishte i rrezikshëm!
-Të lutem-Shkëlqimi i një loti.-E doja jetën-vazhdoi-,por s’më lanë …,askush nuk mund të jetoje jetën që ta kontrollojnë dhe servirin të tjerët.-Djaloshi po me veshtronte. U ktheva.
Nëpër natë krisma armësh diku larg. Po vriteshin poetët dhe ne ishim ekzekutorët. Dikush murmuriti.
-E vramë.
Ktheva sytë, mbi kodër një dritë e dobët. Ndoshta qiri. Një nënë priste, lutej, kishte mall. Ne do të ishim dëshmitarët që vulosnim dënimin tonë të përjetshëm për të vuajtur.
Sytë e kishin humbur, padashur vura dorën në nofulla…..Aroma e gjakut………..
20 Maj 198.
Po ngjitesha në të përpjetë e kodrës.Tani isha rritur në përgjegjësi, isha bërë komandant. Kisha rroba të reja, çizme të gjata lëkure. Shtëpia e vogël dukej si një monument duke qenë edhe pika më e lartë nga ku dukej e gjithë fusha apo dhe kodrat në pjesën jugore. Pamje e bukur. Ndoshta, ky ka qenë frymëzimi tij i parë, mendova. U afrova një gardhi të vjetër që rrethonte banesën duke parë me sy vendin ku duhej të ishte porta, megjithëse mund të kaloje pa vështirësi në çdo anë.
Trokita.
Nje plake e thyer u shfaq, thua se ishte pas porte apo se priste tjetër trokitje.
-Urdhëro bir!-
Zëri kaq i ngjashëm, u trondita. I zgjata dorën.
-Jam shoku i Fatmirit.
Mu hodh në qafë. Përqafimi u përzie me lotët e plakës.
Më tërhoqi thuajse brenda.
Një oxhak, dy nima druri, një dollap, një sepete, si edhe disa gjëra të vjetra.
-Të bëj nëna një kafe-foli plaka.
Tunda kokën në shenjë pohimi. Nje xhezve e vjetër u vu në oxhak ku ishte akoma një zjarr i mekur. Plaka hodhi kafen në një filxhan, ishte fiks një filxhan. Po ajo?
-Gëzuar -i thashë- Pleqëri të mbarë.
-Të më rrosh o bir.
-Si të duket- më pyeti, sikur e kuptoi që nuk më pelqeu, ishte pa sheqer.
-Nuk mundesha dot të veja të blija sheqer se nuk e ngjis dot këtë të flamosur rrugë.-Tha plaka
Po gënjente për të mos ulur krenarinë saj poshtë, në qytet kafeja dhe sheqeri ishin me listë.
-Po më thonë more bir se Fatmiri është armik, po nuk u beson nëna atyre. U çua dhe nga një sepete e vjetër nxori fleta nderi, deftesa, shkrime të të birit dhe mi lëshoi në prehër. Dhe disa fotografi.
-Por ai do të kthehet, se nuk bën punë të liga.
Nuk e di, por nuk kisha zë, nuk kisha fjalë. Mu ul afër duke më kapur dorën.
-Si e kam Fatmirin bir? Se nëna atë ka.-foli malli me gjuhën e saj.
Sytë e mi u drejtuan jashtë dritares së vogël…
-Më thonë që është larg bir, a është e vërtetë !?
Tunda kokën. Doja të ngrihesha.
-Po -I thash me gjysëm zëri-Po ti mos u mërzit Fatmiri me porositi që tu çoj të fala dhe tu them që është mirë ………..
Në një fshat, një nënë priste të birin që ti kthehej, të gjithë thoshin që ishte larg dhe ajo prapë priste. Plaka nuk merte pension dhe ushqehej duke mbledhur lule, apo bimë medicinale përreth kodrave, dhe pse jo edhe mbi varrin e të birit që nuk e pa më kurrë.
Maj 200.
-Këtu!
Disa punëtorë filluan të gërmonin, dheu ishte i butë dhe pas rreth një ore, një copëz plastmasi u duk në gropën e hapur:
-Tani kujdes-Foli dikush.
Pas disa çastesh u duk forma e plotë, po, ishte një trup i pa prishur, ndoshta edhe nga plasmasi që nuk kishte lejuar depërtimin e ajrit apo agjentëve të tjerë të kohës e nëntokës.
Eksperti;
Viktima ka dy goditje, një në gjoks dhe një në kokë dhe që te dyja janë bërë me armë zjarri.
Ate natë skuadra jonë ishte përbërë prej 7 (shtatë)vetave. Distanca dhjetë metra. Çudi ne s’gabonim kurrë, ishim të zgjedhur. Disa nuk qëlluan mbi poetin..!
(Ky tregim i përkthyer në shumë gjuhë ju kushtohet të gjithe poeteve dhe shkrimtarëve që u ekzekutuan nga diktatura komuniste.
Subjekti mbështetet mbi një ngjarje reale.