“Këta…nuk e kanë të gjatë!”
Këto fjalë mu thanë në vitet e largët 1976-77, nga ky njeri në foto.
Më në fund erdhi hera të mund ta provoj se quhet Konstantin Nika! (Qoftë edhe vetëm për kaq duhet face-book-u!)
Kosta erdhi me ekipin e basketbollit të Elbasanit, për të zhvilluar seanca stërvitore në fushën e basketbollit të repartit ushtarak 9908, Gostimë, Elbasan, ku kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
M’i tha mua këtë fjalë, në kinemanë aty, më saktë në atë sallën e vogël fare si bibliotekë të repartit.
M’i tha, sikur të më linte në dorë një…me fitil, jo një simite…dhe iku!
Ika edhe unë, u lirova nga ushtria pas disa muajsh apo një viti, Shqipëria Socialiste kaloi nga fitorja në Fitorje, gjersa erdhi për të gjithë 1990-ta, pastaj, sic u shkrua, erdhi edhe rënia e demokracisë përpara se të bëhej, ne të tërë vraponim, rrëfenim historitë e asaj kohe, ndonjëherë siç kishim dashur të ndodhnin dhe veten e rrëfenim siç kishim dashur të ishim, a thua besonim se kishim qenë po këta që bëheshim vit pas viti, erdhën pastaj vitet 2000, unë mërgova, pa ditur ç’bëhej me Kostën, më saktë me atë Njeriun e Gjatë që para-tha Fatin e KëTyre, kaluan vite të shumta në betejën e pa fund të të qenit emigrant, më në fund iu nënshtrova edhe unë rrymës, hyrjes në fb, ku pasi fillimisht mësova të mos humbja në kryqet e kryqëzimet e tij, erdhi hera të kërkoja të njohur të së shkuarës, të së shkuarës sa mund të largët…
Pyeta disa elbasanllij, gjithnjë me tahmi se as emër të plotë të saktë s’dija, thjesht Kosta. Njëri prej tyre më tha: “O, po ai do jetë, ata ashtu ishin…të pakënaqur!” dhe po nga ky mësova edhe mbiemrin. Si shenjë se nuk e kisha humbur përgjithnjë atë shenjë në mesin e Territ, e pashë se ky Kosta ishte friend fb me Muçi Xhepën dhe pasi mora konfirmimin prej këtij, gjithnjë në kureshtjen e madhe, i shkrova:
“Kostandin Nika, s’mbaj mend, për çfarë folëm, çfarë të thashë unë, që ti m’i besove mua ato fjalë?!”
Mbase kishim folur për ndonjë libër të ndaluar, përderisa ndodhi në bibliotekën aty, por mbase i kisha thënë se nuk më qe mundësuar shkolla e lartë, por…megjithatë, sido si, këto fjalë nuk lëshoheshin aq kollaj!
Përderisa unë e dija, edhe ai duhej ta dinte se mbrohej tjetri për të mbrojtur veten, duke mos folur, duke mos folur vend e pa vend…Prapë ishte ca si shumë kjo fjali e këtij gjatovinos!
Se, Ata që sipas tij ”nuk do ta kishin të gjatë”, kishin prerë kryet e ca burrave edhe më të epërm, dè!
Aq shumë ishte në ato fjalë sa, prej atëherë, 1976 apo 1977, deri këto javë të fundit, Korrik 2022, fitili ndezur mbetej, edhe pse bëheshin plot 45 vite, nuk i kisha shqitur dot nga mendja!
Ato kohë votuam 99.99 % Kushtetutën e Re, atë që ndaloi me Ligj Besimet fetare dhe ndaloi Zotin për Sekretarin e Parë, edhe më me lehtësi seç kishte ndaluar kthimin e Mbretit! Grupet armiqësor po mbyllnin ciklin në të gjithë fushat e lëmenjtë e ekonomisë, kulturës, në ushtri po njiheshim me tezat e reja të mbrojtjes prej Të Dy Superfuqive Njëherazi! Atëherë na thanë me modesti se…mjaft të lexoje “Imperializmi dhe Revolucioni” të shokut Enver dhe s’kishe pse lexoje tërë Klasikët ML…Tërë Hallet e Botës, merreshin përsipër nga ky Yni.
Ishte kulm: futej termi “diktaturë” në Kushtetutë, Partia edhe formalisht vendosej në krye të kësaj strukture. Dhe…pikërisht atëherë, vjen ky I Panjohuri e të vë fitilin! Jo ai I shokut Enver, ky ishte hall!
“I have a hall” lexonim një tekst, pa mundur të shpresohej një kohë me tekst të hapur.
Ti Kostandin më shkruan se nuk e mban mend këtë ndodhi, pra as se çfarë kemi folur midis, sado që edhe unë mezi përpiqem, me kujtesë të largët, sigurisht të pasigurt, të heq ca vija të tjera në atë intimitet të beftë.
Se, mund të këmbesh kësisoj nëntekstesh me të Tutë, me të mbiemrit tënd, më ngushtë akoma, se edhe Mbiemrat u shkundën edhe pse Ullinj të Vjetër, me ndokënd prej tyre mund të këmbeje vetmi, ndonjë Ah e Uh që s’e mbaje dot, po pra me ndokënd që të dinte dhe e dije që, po të vinte e Keqja, si e Mira, pashmangshëm do vinte pë të dy bashkë…
Ja që Tjetri, bota, tu bëka I afërt, brenda pak minutash. Siç ndodhi me ty, Kosta!
Ouuu yes, më shkruan Kosta, që e paska djalin diku afër Torontos, teksa i them se Muci Xhepa më tregoi një gjest tjetër të tillë, të një Nikaj tjetër kundër dikujt aty nga lloji i Atyre, që jo vetëm e shtynë ymrin e tyre, por këmbyen edhe pseudonim të mos hiqeshin mënjanë kurrë!
Unë kam qenë e jam Po ai, anti…!, shkruan Kosta i vitit 2022!
Faleminderit shumë, Kostandin që më solle shenjë për prani rezistence, ato kohë të rrepta, ku karakteret viheshin në provë të rëndë…
Vështroj foto të Kostës dhe e sjell ndërmend siç: “Ta kanë marrë të keqen sistemi dhe mosha…Kostë!”
“Nuk nënshtrohemi, never ever!”, është anglishtja e tij: “Do zoti të takohemi edhe 1 herë në këtë jetë!”
“Edhe kjo është veti karakteri, rrofsh Kostandin Nika! Sigurisht do shihemi. Kur të jem aty, do të gjej, f.l.m.d!”
“F.l.m.d, ty, o njeri fisnik!”
“Mirënjohja e parë dhe Falënderimi I Vërtetë, shkon tek Ata që guxojnë, pastaj vjen radha për ata që ruajnë sekretin!!!”