Djaloshi i pushkatuar sepse këndonte këngët e Çelentanos me Kitarën e Vaçe Zelës
Ishte viti 1951. Komunizmi kish ngulur thellë thonjtë e tijë të kuq në trupin e dobët të Shqipërisë. Injoranca po ngjiste shkallët e pushtetit. Kultura e friksuar nga terrori i shtypjes, nga dita në ditë mbushte qelitë e burgjeve. Konsumonte jetën minierave të vdekjes. Planet për të errësuar diellin e perëndimit thureshin në kuzhinat e sigurimit të diktaturës. Ndaj, një ditë, papritur, një bombë shpërtheu në oborrin e ambasades ruse në Tiranë. Spiunët kishin hedhur grepin vdekje prurës. Intelektualët që ishin në listën e pregatitur me zellin e xhelatit, do të akuzoheshin si ” Armiqtë e popullit” që donin të prishnin miqësinë vllazërore me popullin rus. Gjyqe të inskenuar kishin nënshkruar dënimin me vdekje. Më shumë se njëzet intelektualë u pushkatuan, mes tyre dhe Qemal Daja. Katër fëmijët e tijë u dërguan në shtëpitë jetimore, në qytete të ndryshëm. Nënën e fëmijëve e degdisën në një fermë në jug të Atdheut. Fëmijët e sajë do të ” edukoheshin” nga Partia. Skënderi ishte vetëm dy vjeç. Nga jetimorja në Elbasan, e dërguan në Tiranë, Shkodër dhe Durrës. Në moshë të njomë mësoi t’i binte kitarrës. Zëri i tijë melodioz i shoqëruar me tingujt e kitarrës mbushte me jetë hapsirën e ftohtë të dhomës ku flinte. Fshehurazi filloi të këndonte këngë italiane. Ndonëse adoleshent, admironte Çelentanon. Këngët e Skënderit ishin mesazhe lirie. Shpirti i lirë i djaloshit 14 vjeçar nuk mund të pranonte diktaturën. Ishin shkëndijat e para të një zjarri të madh, që do ndizej pastaj në zemrën e tijë. Një ditë vendosi të takonte xhaxhain e tijë. Sapo gjeti adresën, shkoi dhe trokiti në portën e shtëpisë.
Mbasi i tha se ishte Skënderi, nipi i tijë, xhaxhai i friksuar u përgjigj:” Nuk duhet të trokasësh më në portën time. Babain tënd e ka pushkatuar pushteti. Skënderi adoleshent duke ndjerë indiferencën mbytëse që e rrethonte, u ndje i vetmuar, i braktisur. I përjashtuar nga jeta. Kish mbaruar vetëm 7 vjeçaren. I vetëm, i izoluar nga njerëzit, duhej të përballonte jetën. Cilën jetë? Atë që e kishin grabitur që në moshën dy vjeçare. Tani kish të drejtë vetëm të merrte frymë dhe të bëhej ushtar i devotshëm i Partisë në hapsirën pa qiell. Por kitarra e tijë nuk mund të qëndronte e varur në gozhdën e harresës. Shpirti i tijë i lirë thurte ëndrra të pamundura. Por ishin e vetmja dritare ku ai nëpërmjet fantazisë vështronte botën e lirë. Ishin i vetmi oksigjen që e ndihmonte të jetonte. Dhunë dhe shpresë. Vdekje dhe dëshirë për jetë. Dy imazhe të kundërta në trupin e njomë të Skënderit, i lindur për të kënduar. Mbasi ish larguar nga jetimorja shkoi të takonte vëllain dhe dy motrat. Dhe Engjëllushja, motra e tijë ish këngëtare. Në koncertet e shkollave ish e detyruar të këndonte këngë që flisnin për jetën e bukur të krijuar nga Partia. Ndaj Skënderi nuk mund të dilte në publik. Këngët italiane dhe sidomos të Çelentanos ishin muzika dhe pasioni i tijë. Duhej të këndonte vetëm mes shokësh të besuar. Duke ndjerë mallin e nënës së tijë, të cilën nuk e kish parë kurrë, gjeti fshatin ku jetonte dhe u nis. Në një fermë, në jug të Shqipërisë, takoi për herë të parë nënën. Ndjeu përqafimin e ngrohtë të jetës. Nëna po i jepte jetë për herë të dytë. Ish martuar me një grek, i cili nuk mund të kthehej më në vendin e tijë, mbasi ish mbyllur kufiri. Për pesë ditë u ndje i lumtur, i përkëdhelur. Në krahët e nënës harroi egërsinë e sistemit. Më vonë gjeti punë si ndihmës marangoz në qytetin e Elbasanit. Mbasi mbaronte orarin e punës shkonte në shtëpinë e beqarve ku ushqehej dhe flinte. Në dhomë, i vetëm, ndihej i lirë. Shpirti i tijë vallëzonte nën tingujt e kitarrës dhe me zërin melodioz fluturonte mbrënda imagjinatës së botës së lirë. Ishte vetvehtja. Ishte Skënderi i frymëzuar nga këngët, i dashuruar me ëndrrat për jetën. Ishin momentet kur ai jetonte, i tretur në pasonin e tijë harronte dhimbjen e e shtypjes së përditëshme. Një ditë, si gjithë të tjerat, Skënderi u gjënd ushtar në Ksamil, në një repart pune. Nuk kish të drejtë të mbante armë si djali i armikut të popullit. Megjithëse Greqia ishte shumë afër, Skënderi nuk iku nga Shqipëria. Që në moshën 14 vjeçare , në prani të shokëve kish shprehur dëshirën për të jetuar në perëndim. Mbas sa vitesh fjala kish ecur duke rënë në veshin e spiunëve .Në moshën 20 vjeçare Skënderi arrestohet nga sigurimi i shtetit. Akuzohej si kundërshtar i qeverisë së popullit dhe dëshirë për arratisje nga Atdheu. Dënimi ish i pa diskutueshëm:”10 vjet heqje lirie.” Të lidhur e dërguan në burgun famëkeq të Spaçit. Duhej të punonte në minierë ku jetën e ndante nga vdekja vetëm një vijë e hollë. Por nuk ishte ky shkaku kryesor i dënimit. Pasioni dhe dëshira e pafund për këngët italjane dhe sidomos për Çelentanon ishte e pa pranueshme për diktaturën. Ndaj, para se t’a fusnin në qeli e godisnin fort me shkop gjunjëve,para gjithë të burgosurve në sa dy roje të armatosura e mbanin për krahësh. Dhimbja ishte e padurueshme por ai vazhdonte të qëndronte në këmbë.
” Të pëlqen të këndosh këngët e Çelentanos ” – ulërinte gjykatësi komunist në sa e godiste pa mëshirë për t’a parë të gjunjëzuar. Por Skënderi i pamposhtur nuk ra. Qëndroi në këmbë krenar për idetë e tijë europiane. Mbas disa ditësh u njoh me të burgosur të tjerë. Veçanërisht me Gëzim Çelën, një djalosh nga Lushnja që i binte kitarrës. Nëna e tijë ishte komshije me Vaçe Zelën,që mbas disa vitesh u bë kengëtarja legjende e Shqipërisë. Ajo i fali kitarrën e vet që t’ia dërgonte të birit në burg. Kitarra e Vaçes shëtiti nga burgu në burg. Dhe tingujt e sajë ngrohën hapsirën e ftohtë të minierave. Nga duart e Skënderit muzika italiane gjallëronte ambjentin plot lagështirë dhe myk të qelive ku flinin të burgosurit, armiqtë e popullit, siç i quante Partia. Mbi të gjitha këngët, Skënderi adhuronte Çelentanon kur këndonte para publikut. Në një mbasdite vonë, mbasi ish tretur i lumtur në magjinë e muzikës, Skënderi thotë sikur po fliste me vetvehten : ” Do të pranoja të pastroja gjithë rrugët e Romës, vetëm të këndoja një herë me Çelentanon në skenë para publikut. Sytë e tijë shkëlqenin nga pasioni dhe lumturia që ndjente në atë moment. Dhe nuk ishte vetëm ky çast, por sa herë ishte i vetëm ëndërronte që dëshira e tijë të të realizohej një ditë. Por, fatkeqësisht ishte vetëm një iluzion, një ëndërr e vrarë që ditën që kish lindur. Shpirti i tijë i lirë dhe rebel , nuk mund të pajtohej me diktaturën, dorën e padukshme që shtypte pa mëshirë mendimet e lira. Dhe një ditë ndodhi ajo që pritej të ndodhte. Një i burgosur ish dënuar të qëndronte në qeli i vetëm , i izoluar nga të tjerët pasi kish kundërshtuar gardianin.
Pas disa ditësh, ndonëse koha e dënimit kish mbaruar, komandanti i burgut nuk e lejoi të dilte nga izolimi. Një shkëndijë u ndez dhe revolta shpërtheu. Shokët, mbasi përgatitën skenarin e përfshirjes së gjithë të burgosurve në mosbindjen dhe pushtimin me forcë të gjithë teritorit, nxorën shokun e tyre nga izolimi. Dhe shpërtheu stuhia. Nëpër koridore dhe oborr thirrjet për liri demokraci friksuan shërbëtorët e diktaturës.
” Poshtë komunizmi! Duam të jetojmë në Europë!” Zëra të revoltuar nga shtypja e diktaturës ushtonin në mjediset e skëterrës ku asnjëri nuk ishte i sigurtë që do dilte i gjallë .
Befas flamuri me yll u zhduk dhe në vend të tijë u ngrit ai me shqiponjën dy krenare pa simbolin e komunizmit.
Një copë tokë e lirë mbrenda kafazit gjigand të komunizmit. Shpirtra të rebeluar nga mohimi total i frymëmarrjes së lirë. Për tre ditë klithmat e dhimbjes së jetës së cënuar përshkuan hapsirën duke mbetur të përjetsuara në eterin e ajrit. O jetë, o vdekje! Çdo popull ka të drejtë të vendosë për jetën e tijë. Vetëm tre ditë dhe filli i ëndërrave u këput. Egërsia e ethëshme e diktaturës tregoi unin mbi të gjithë. Gjelati i ligjëruar i kupolës injorante vendos si gjithmonë. Gjyqe të inskenuar vulosën vdekje me shkronja gjaku të pafajshëm.
E vetmja revoltë pro jetës dhe kundër diktaturës mbeti revolta e Spaçit, ku Skënderi i pamposhtur, liridashës, me shokët e tijë , i treguan botës se populli shqiptar ishte viktimë e komunizmit. Fatkeqësisht bota heshti.
Në qeli, duke pritur xhelatët , mori kitarrën dhe nisi të këndonte këngët e Çelentanos. Dhe nuk u ndal derisa erdhën dhe e morën . Këngët pushuan. Por jehona e tyre jeton. Skënderi me tre shokët e tijë u pushkatuan. Por ideali mbeti i gjallë. Trupat e tyre nuk u gjënden më kurrë. Ashtu siç nuk u gjënd trupi i babait të tijë.
Sot kujtimi i tijë është një yll i pa shuar, një busull në rrugën e lirisë.
Skënder Daja u pushkatue në moshën 22 vjeçare. Babai i tijë u pushkatue 20 vite më parë, kur Skënderi ishte vetëm dy vjeç.