Jeta s’është gjë tjetër veçse një udhëtim.
Për dikë i shkurtër, për të tjerë më i gjatë, për disa i pafundëm.
Dikush ktë udhëtim e ba në kamë, dikush me biçikletë, të tjerë me makina, ka që e bëjnë me trena që ndalojnë në çdo fshat e qytezë, siç ka edhe prej atyre që udhëtojnë me trena të shpejtë që ndalojnë veç nëpër metropole.
Ka njerëz që e jetojnë jetën me pauza si shkëlqimi i xixëllonjës, siç ka të tjerë që zhurmojnë e shndrisin si rrufeja.
Ka njerëz që i jetojnë të katër stinët, ka të tjerë që jetojnë veç pranverën apo dimrin.
Ka njerëz që mbjellin e korrin, siç ka që s’mbjellin asgjë dhe korrin gjithçka dhe anasjelltas.
Ka njerëz që lindin të vdekur dhe ngjallen rrugës, siç ka edhe njerëz që nuk vdesin kurrën e kurrës.
Këta të fundit edhe pse janë të paktë në numër i japin jetës së gjithë njerëzimit vlerë dhe kuptim.
E lartësojnë atë dhe e bëjnë të harrojmë përditshmërinë e pluhurt dhe të shurdhët që e vesh jetën nëpër stacione të ndtyshme të saj.
Kjo është një sirenë alarmi që na thërret ta jetojmë jetën për çdo sekondë të saj dhe jo vetëm atëherë kur e kuptojmë se jemi të vdekshëm.
Kur ta marrim vesh se jemi të vdekshëm s’na mbetet tjetër vepse në rastin më të mirë të shkojmë për peshkim dhe në rastin më të keq të zëmë krevatin.
S’ka shumë rëndësi se si jeton, rëndësi ka të jetosh intensivisht dhe të mundohesh njerëzishëm në pas vdekje të mos jesh thjeshtë një shifër statistikore.
19 Gusht 2022

